Janë me qindra mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë vendlindjes së tyre. Kjo shifër, përtej statistikës, fsheh brenda saj njërin nga fenomenet më enigmatike dhe ironike të kohës sonë: i njëjti njeri, me të njëjtat duar dhe të njëjtin tru, që në Kosovë rrinte kot duke luajtur me lugën e makiatos nëpër kafenetë e qytetit, në Gjermani apo Zvicër zgjohet në orën pesë të mëngjesit për të bërë çdo lloj pune, edhe me orar të zgjatur.
Ky paradoks nuk është rastësor. Ai është produkt i një sistemi – ose, më saktë, i mungesës absolute të një sistemi funksional në vendlindje.
Sociologu i shquar francez, Émile Durkheim, e quajti anomi atë gjendje shoqërore ku normat sociale dhe morale humbasin forcën e tyre. Kur sistemi korruptohet – kur nepotizmi mposht meritën, kur korrupsioni kthehet në të vetmen rrugëkalim, kur lidhjet familjare e partiake çelin dyer që talenti i pastër nuk i hap dot dhe ku konkurrenca e ndershme nuk ekziston – njeriu, thjesht, ndalon së besuari te puna.
Kosova e pasluftës, e tranzicionit të stërzgjatur dhe e reformave të mbetura në gjysmë të rrugës, është shembulli i gjallë i kësaj anomie kolektive. Rinia shqiptare nuk u bë dembele nga natyra; ajo u tregua racionale. Pse të punosh shumë, kur rezultati i jetës tënde nuk varet nga ti, por nga dikush tjetër?
Në momentin që i riu shqiptar vendoset në një shoqëri perëndimore, ndodh një thyerje e fuqishme psikologjike. Ai sheh me sytë e tij distancën midis asaj që ka aktualisht dhe asaj që mund të arrijë nëse përpiqet. Kjo distancë e dukshme dhe e prekshme shndërrohet në karburantin e tij të veprimit.
Nuk është se sistemi i ri perëndimor e transformon atë në një "person tjetër" përmes ndonjë magjie. Ai thjesht i jep një arsye të fortë për të punuar. Sepse atje, puna e palodhur dhe konkurrenca e ndershme e çojnë individin në dimensione që më parë i dukeshin të paarritshme.
Sistemi ekonomik perëndimor nuk e "reformon" emigrantin shqiptar me predikime; ai thjesht i ofron rregulla të qarta loje: Dil në punë, paguaj taksat, respekto ligjin. Dhe sistemi ia kthen mbrapsht me: siguri, pagesë korrekte, dinjitet dhe një garë të shëndetshme.
Ky reciprocitet – kjo kontratë shoqërore funksionale – është saktësisht ajo që mungon në vendlindje. Kur shteti nuk mban anën e tij të kontratës, qytetari racional e braktis atë.
Brezi i parë i emigrantëve mban gjithmonë me vete kujtesën e vështirësisë. Ata punojnë me një intensitet të jashtëzakonshëm pikërisht sepse janë produkt i anomisë që lanë pas. Ndërsa brezi i dytë, i lindur dhe i rritur në mirëqenien perëndimore, e humbet plotësisht këtë lloj densiteti pune.
Është sikur motori i motivimit të brezit të parë të funksiononte me një lëndë djegëse specifike: frika nga varfëria, trauma e papunësisë, turpi i dështimit para familjes dhe revolta ndaj padrejtësive të vendlindjes. Kur kjo lëndë djegëse konsumohet ose nuk ekziston më tek të rinjtë e lindur jashtë, efekti zbehet.
Nisur nga kjo, zgjidhja e krizës sonë demografike nuk qëndron te thirrjet patetike për "t'i bindur emigrantët të kthehen". Rrugëdalja e vetme është të ndërtojmë në Kosovë vendin që i bën ata të dëshirojnë vetë të kthehen. Zgjidhja ka emra të thjeshtë : Meritokraci. Drejtësi. Domethënë, saktësisht ato gjëra që shqiptarët u detyruan t'i kërkonin dhe i gjetën jashtë kufijve të tyre.




