Një sinjalizues nga brendësia e Spitalit Regjional të Pejës ka ardhur para redaksisë sonë me një dëshmi shqetësuese: pacientët që presin operacion hernie në repartin e kirurgjisë po detyrohen të paguajnë nën dorë, jo sepse mjekët kërkojnë haptazi para — por sepse puna e tyre sabotohet me qëllim, deri sa pacienti "e kupton vetë" se çfarë duhet të bëjë.
"Askush nuk të thotë shumën. Askush nuk të shtrinë dorën. Por lista pret dhe befas, pasi i jep parat, gjithçka shkon pa problem," — thotë sinjalizuesi, i cili ka kërkuar të mbetet anonim për shkak të frikës nga hakmarrja profesionale.
Qytetari N.D., banor i Pejës, ka pranuar të flasë për gazetën tonë, me kusht që inicalet e tij të mos shoqërohen me detaje identifikuese.
"Kam pritur muaj të tërë. M'u tha se sistemi është i ngarkuar, se rradha është e gjatë, se duhet të pres. Sapo i dhash të hollat, brenda ditëve u thirra për operacion," — rrëfen ai me zë të ulët, mes hezitimit dhe indinjatës.
Rasti i N.D. nuk është i vetëm. Sinjalizuesi pohon se praktika është e sistematizuar dhe e njohur nga shumë punonjës të repartit — por askush nuk flet, sepse kodi i heshtjes mbahet me presion të brendshëm.
Ajo që e bën këtë formë korrupsioni veçanërisht të vështirë për t'u provuar është mënyra se si funksionon: nuk ka kërkesë të drejtpërdrejtë, nuk ka faturë, nuk ka dëshmi të qartë. Mjeku nuk bën asgjë të paligjshme në dukje — thjesht nuk e bën atë që duhet të bëjë. Vonesa artificiale, komunikimi i papërcaktuar — këto janë armët.
Pacienti lihet të "arrijë vetë në përfundim."
Ky model — i njohur në literaturën ndërkombëtare si ´passive extortion´ ose shantazh pasiv — është ndër format më korrozive të korrupsionit shëndetësor, pikërisht sepse lë gjurmë minimale dhe vendos fajin moral mbi shpatullat e të varfërit që "nuk pagoi."
Fenomeni i denoncuar meriton vëmendjen e menjëhershme të organeve të drejtësisë dhe prokurorisë kompetente. Nëse hetimet do të konfirmojnë dëshmitë e mbledhura, jemi para një rasti të qartë të korrupsionit aktiv brenda sistemit publik shëndetësor — një sistem që financohet nga taksat e të njëjtëve qytetarë që detyrohen të paguajnë dy herë për të drejtën e tyre kushtetuese ndaj shëndetit.
Redaksia jonë ka kontaktuar Drejtorinë e Spitalit Regjional të Pejës për koment zyrtar dhe kemi marr një përgjigje :
Spitali i Përgjithshëm në Pejë i mohon kategorikisht dhe me vendosmëri këto pretendime, të cilat janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt apo dëshmi.
Rastet konservative trajtohen pa ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa trajtimi paliativ u ofrohet pacientëve me sëmundje të avancuara për lehtësimin e simptomave. Listat e pritjes për ndërhyrje kirurgjikale menaxhohen sipas prioriteteve mjekësore dhe kapaciteteve operative, në mënyrë transparente dhe të monitorueshme.




