Në vend që të ndërtohej një sistem funksional që fiton besimin e pacientit, politika ka preferuar të mbajë në këmbë një strukturë të kalbur, të bazuar tek improvizimet dhe favoreve klienteliste.

Për dekada të tëra, formula e funksionimit të spitaleve publike ka qenë e thartuar nga nepotizmi. Konkurset formale dhe meritokracia janë zëvendësuar nga tesera e partisë dhe lidhjet familjare. Spitalet dhe klinikat janë mbytur me staf administrativ e mjekësor të papërshtatshëm, të futur në punë vetëm për shkak të ndikimit politik.

Kjo qasje ka shkatërruar çdo mundësi për të krijuar një sistem shëndetësor që funksionon. Mungesa e ilaçeve esenciale, listat e gjata të pritjes, kushtet skandaloze dhe korrupsioni i përditshëm janë pasojë e drejtpërdrejtë e këtij keqmenaxhimi strukturor.

Kushtet e mjerueshme në spitale nuk janë rezultat i një fatkeqësie natyrore, por fryt i një papërgjegjësie të vetëdijshme politike.

Luksi i politikanëve dhe realiteti i qytetarit

Përse politikanët nuk shqetësohen realisht për gjendjen e spitaleve publike? Përgjigja është e dhimbshme dhe e qartë: Ata nuk shërohen në këto spitale.

Kur një politikan apo anëtar i familjes së tij ka një problem shëndetësor, dyert e spitaleve publike nuk ekzistojnë për ta. Ata drejtohen menjëherë drejt klinikave private më të shtrenjta në vend ose fluturojnë drejt spitaleve elitare jashtë shtetit, shpenzimet e të cilave shpesh mbulohen nga xhepat e taksapaguesve ose burime të dyshimta.

Për kastën politike, shëndetësia publike nuk është një nevojë njerëzore, por thjesht një levë pushteti dhe një mjet për të mbajtur të qetë bazën elektorale përmes punësimeve familjare.