“Informimi është një mjet komunikimi me publikun, i cili ka edhe rol parandalues. Është një detyrim profesional, pavarësisht daljes në pension apo largësisë nga atdheu”, shprehet Dr. Kalo, duke theksuar rëndësinë e ndarjes së njohurive mjekësore me prindërit, edukatorët, profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe publikun e gjerë.

Çfarë është Impetigo bacteriosa?

Impetigo është një infeksion bakterial i lëkurës, që shfaqet më shpesh tek fëmijët, por mund të prekë çdo grupmoshë. Shkaktarët më të zakonshëm janë bakteret _streptokok_ dhe më rrallë _stafilokokët_. Ky infeksion shfaqet gjatë gjithë vitit, por është më i zakonshëm në verë dhe në ambiente të mbipopulluara si plazhet, kampet apo institucionet arsimore.

Karakteristikat kryesore të Impetigos:

1. Autoinfektimi – përhapja nga vetë i sëmuri duke kruar apo prekur lezionet. 2. Infektimi i të tjerëve – përhapja te fëmijët apo anëtarët e tjerë të familjes dhe rrethit shoqëror.

Masat parandaluese:

  • Mbajtja e higjienës personale është thelbësore.
  • Teshat dhe rrobat e të prekurve duhen larë veçmas.
  • Të shmangen qëndrimet e gjata në diell, në kushte të lagështa apo temperatura të ulëta.
  • Të evitohen banjot në pishina, liqene dhe det gjatë fazave aktive të infeksionit.

Diagnoza dhe diferencimi nga sëmundje të tjera

Dr. Kalo thekson rëndësinë e diagnozës së saktë, duke mos e ngatërruar impetigon me sëmundje të tjera si _Varicela_ apo _Herpes simplex_. Ai sjell një përshkrim të detajuar të dallimeve klinike mes tyre, duke përmendur elementët karakteristikë të varicelës: makula, papula, vezikula dhe krusta, të cilat zhvillohen në një hark kohor prej 24–48 orësh pas një faze pseudogripale.

Trajtimi i impetigos

Në shumicën e rasteve, trajtimi përfshin:

  • Mjekim lokal/topik me pomada antibakteriale si _Neobac, Bakoderm, Tetracycline_, etj.
  • Antibiotikë oralë për format më të avancuara ose të përhapura (_Cefixim, Amoksiclav_).
  • Antihistaminikë për lehtësimin e kruajtjes (_Ceterizin, Lordes_, etj.).