Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjuha shqipe ka qenë historikisht elementi themelor i identitetit kombëtar, më shumë sesa përkatësia fetare. Kjo nuk nënkupton se feja nuk ka rëndësi, por se gjuha ka shërbyer si ura që ka bashkuar shqiptarët përtej dallimeve fetare, politike dhe krahinore. Shqiptarët janë një nga popujt e rrallë në Ballkan ku identiteti kombëtar është ndërtuar kryesisht mbi gjuhën dhe kulturën, e jo mbi mbi atribute tjera, e as mbi fenë. Brenda kombit shqiptar bashkëjetojnë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, por të gjithë ndajnë të njëjtën gjuhë, histori dhe trashëgimi kulturore. Pikërisht kjo ka bërë që gjuha shqipe të jetë simboli më i fortë i unitetit kombëtar. Në Maqedoninë e Veriut, ruajtja dhe përdorimi i gjuhës shqipe ka qenë një betejë politike dhe kulturore për dekada. Të drejtat për arsimim në shqip, përdorimin institucional të gjuhës dhe përfaqësimin kulturor nuk kanë qenë vetëm çështje komunikimi, por çështje ekzistence dhe dinjiteti kolektiv. Një komunitet mund të ndryshojë bindje fetare gjatë historisë, por humbja e gjuhës shpesh nënkupton humbjen graduale të identitetit kombëtar. Rilindësit shqiptarë e kanë kuptuar këtë shumë herët. Motoja e famshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, e lidhur me Pashko Vasa, shpreh pikërisht idenë se mbijetesa kombëtare e shqiptarëve varej nga uniteti përmes gjuhës dhe kulturës, jo nga ndarjet fetare. Në një rajon ku feja shpesh është përdorur si instrument politik për ndarje etnike, shqiptarët kanë mbijetuar si komb sepse kanë ruajtur gjuhën. Sot, për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjuha shqipe mbetet themel i arsimit, kulturës, identitetit dhe pjesëmarrjes së barabartë në shtet. Ajo është kujtesë historike, mjet emancipimi dhe garanci për vazhdimësinë kombëtare. Feja është çështje personale dhe shpirtërore; gjuha është trashëgimi kolektive dhe shtylla që mban gjallë identitetin e një populli.
Në Maqedoninë e Veriut, identiteti kombëtar mbrohet nga gjuha shqipe e jo nga përkatesia fetare
'Shkruan: Ibrahim Gashi'
Përditësuar më

OPINIONE
Artikuj të ngjashëm
OPINIONE
A mund të bëhet Shqipëria një shtet më i madh sipas Marko Rubios?
'Shkruan: Ben Blushi ---- Deklarata e Sekretarit Amerikan Marko Rubio, se shtetet që nuk prodhojnë dot ilace dhe anije nuk do egzistojnë, duhet t’i ketë vënë në panik nja 40 vende të botës që kanë më pak se 3 milion banorë.'
OPINIONE
Politika nuk është «hajt të gjej një vend pune…»
'Në vende serioze partitë politike flasin për programin e qeverisjes, në Kosovë debati fillon e mbaron për poste: kush çka po merr. Kështu po ngjet edhe kësaj radhe. Dhe sërish kjo është fyerje ndaj elektoratit. Ky popull duket se ka më shumë durim se ç’kanë politikanët kohë të tallen me të. Ah, e kush po bëhet president?'
OPINIONE
Aftësia njerëzore që do të ketë më shumë rëndësi në ekonominë e inteligjencës artificiale
'Nga: Angel Howard / Newsweek'
