Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjuha shqipe ka qenë historikisht elementi themelor i identitetit kombëtar, më shumë sesa përkatësia fetare. Kjo nuk nënkupton se feja nuk ka rëndësi, por se gjuha ka shërbyer si ura që ka bashkuar shqiptarët përtej dallimeve fetare, politike dhe krahinore. Shqiptarët janë një nga popujt e rrallë në Ballkan ku identiteti kombëtar është ndërtuar kryesisht mbi gjuhën dhe kulturën, e jo mbi mbi atribute tjera, e as mbi fenë. Brenda kombit shqiptar bashkëjetojnë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, por të gjithë ndajnë të njëjtën gjuhë, histori dhe trashëgimi kulturore. Pikërisht kjo ka bërë që gjuha shqipe të jetë simboli më i fortë i unitetit kombëtar. Në Maqedoninë e Veriut, ruajtja dhe përdorimi i gjuhës shqipe ka qenë një betejë politike dhe kulturore për dekada. Të drejtat për arsimim në shqip, përdorimin institucional të gjuhës dhe përfaqësimin kulturor nuk kanë qenë vetëm çështje komunikimi, por çështje ekzistence dhe dinjiteti kolektiv. Një komunitet mund të ndryshojë bindje fetare gjatë historisë, por humbja e gjuhës shpesh nënkupton humbjen graduale të identitetit kombëtar. Rilindësit shqiptarë e kanë kuptuar këtë shumë herët. Motoja e famshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, e lidhur me Pashko Vasa, shpreh pikërisht idenë se mbijetesa kombëtare e shqiptarëve varej nga uniteti përmes gjuhës dhe kulturës, jo nga ndarjet fetare. Në një rajon ku feja shpesh është përdorur si instrument politik për ndarje etnike, shqiptarët kanë mbijetuar si komb sepse kanë ruajtur gjuhën. Sot, për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjuha shqipe mbetet themel i arsimit, kulturës, identitetit dhe pjesëmarrjes së barabartë në shtet. Ajo është kujtesë historike, mjet emancipimi dhe garanci për vazhdimësinë kombëtare. Feja është çështje personale dhe shpirtërore; gjuha është trashëgimi kolektive dhe shtylla që mban gjallë identitetin e një populli.
Në Maqedoninë e Veriut, identiteti kombëtar mbrohet nga gjuha shqipe e jo nga përkatesia fetare
'Shkruan: Ibrahim Gashi'
Përditësuar më

OPINIONE
Artikuj të ngjashëm
OPINIONE
Shqipëria e ka rrugën e gjatë, e Kosova të mbyllur drejt BE-së
Me përjashtim të Malit të Zi, nuk duket në horizont anëtarësimi i shpejtë i ndonjë vendi tjetër të rajonit në BE. Shqipëria do ta shënojë një hap tjetër të madh, me nisjen e mbylljes së kapitujve, por akoma e ka shumë të gjatë rrugën deri tek anëtarësimi eventual. Kosova, çfarëdo të thonë rreth “perspektivës evropiane”, e ka të mbyllur rrugën dhe nuk ka shenja se bllokimi në Këshillin e BE-së nga vendet që nuk e kanë njohur, do të hiqet. Asnjëherë në procesin e zgjerimit të BE-së nuk ka pasur situatë ku kandidatët të jenë në pozicione kaq të ndryshme në rrugëtimin e tyre. Prandaj, edhe pohimet për data të anëtarësimit duhen marrë me shumë rezerva.
OPINIONE
𝑷𝒂𝒓𝒂𝒅𝒐𝒌𝒔𝒆 𝒔𝒉𝒒𝒊𝒑𝒕𝒂𝒓𝒆
𝗡𝗴𝗮 𝗙𝗮𝘁𝗼𝘀 𝗧𝗮𝗿𝗶𝗳𝗮
OPINIONE
Ndërgjegja kolektive e fyer dhe e revoltuar
'Opinion nga : Prof Artan FUGA'
