Ky investim nuk është pritur mirë nga ekspertët e shëndetësisë dhe qytetarët, të cilët e shohin këtë vendim si një shpërfillje totale ndaj prioriteteve reale të shëndetësisë publike.
###
Rezonanca Magnetike mobile zakonisht është një zgjidhje për raste të jashtëzakonshme: situata të fatkeqësive natyrore, zona lufte, ose lokacione ku infrastruktura spitalore nuk ekziston. Të sjellësh një të tillë në oborrin e QKUK-së, ku tashmë operojnë disa rezonanca magnetike stacionare, është një paradoks logjistik dhe financiar.
Pse i duhet një qendre universitare pajisje mobile kur pacientët nga emergjenca mund të transportohen brenda metrave në diagnostikën stacionare? Kjo lëvizje duket më tepër si një gjetje për të arsyetuar një tender të majmë, sesa një nevojë urgjente klinike.
Përderisa QKUK-ja "investon" gjysmë milioni euro në teknologji që nuk përputhet me nevojat e përditshme, realiteti në pavijone është dëshpërues:
- Mungesa e barnave: Pacientët shpesh detyrohen t'i blejnë vetë barnat nga lista esenciale.
- Kushtet elementare e infrastruktura e amortizuar dhe mungesa e mjeteve bazike higjienike .
- Shtrirja në spitale regjionale: Shteti ka investuar në blerjen e rezonancave magnetike për spitalet e përgjithshme nëpër qytete të Kosovës. Kjo e lehtëson fluksin në Prishtinë, duke e bërë blerjen e Rezonancës Magnetike Mobile një pajisjeje të pakuptimtë në këto kushte.
Era e korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë :
Kur paraja publike shpenzohet për pajisje që nuk janë prioritare, ndërkohë që kërkesat bazike për shërim mbeten të paplotësuara, dyshimi për keqpërdorim bëhet i pashmangshëm. Kush e hartoi këtë planifikim? Cili ishte studimi i fizibilitetit që e nxori këtë MRI si nevojë imediate?
Kjo papërgjegjësi e menaxhmentit reflekton një kulturë ku tenderët marrin përparësi mbi jetën dhe shëndetin e qytetarit. Nëse QKUK-ja ka gjysmë milioni euro të lira, ato para do të duhej të shkonin në drejtim të reduktimit të listave të pritjes për operacione, furnizimit me citostatikë apo përmirësimit të kushteve në klinikat ku pacientët presin me javë të tëra.
Organet e hetuesisë dhe Ministria e Shëndetësisë duhet ta ndalin këtë proces dhe të japin llogari para taksapaguesve kosovarë. Nuk është momenti për "luks" teknologjik që mbledh pluhur apo që shërben si dekoratë e keqmenaxhimit. Është koha për shëndetësi të bazuar në nevojat e pacientit, e jo në apetitet për tenderë të dyshimtë.
Qytetarët nuk kanë nevojë për rezonanca mobile; ata kanë nevojë për një sistem që funksionon, që ofron barna dhe që nuk i detyron të shpenzojnë kursimet e tyre për shkak se menaxhmenti zgjodhi të blinte "makineri të shtrenjta" në vend të kujdesit bazik shëndetësor.




