Një mjek i ri, i cili ka vendosur të kërkojë fatin jashtë vendit për shkak të mungesës së kushteve në Kosovë, ka kontaktuar redaksinë tonë për të denoncuar atë që ai e quan "hajni të organizuar". Për t'u pajisur me një certifikatë të së kaluarës etiko-profesionale, atij i është kërkuar një tarifë prej 25 eurosh, plus 5 euro shtesë për transaksionin bankar. Gjithsej, 30 euro për një dokument që, në thelb, është vetëm një letër e bardhë.
"Është absurde. Përveç që nuk po gjejmë punë në Kosovë dhe jemi të detyruar ta braktisim vendin tonë, ne duhet ta paguajmë edhe 'haraçin e largimit' për të marrë një dokument administrativ," shprehet mjeku i ri, i cili kërkoi të mbetet anonim nga frika e ndonjë hakmarrjeje administrative.
Sipas tij, kostoja nuk reflekton asnjë shpenzim real administrativ. "A është në rregull që një letër e bardhë, e cila nuk kërkon asnjë hulumtim as ndonjë shpenzim material, të kushtojë 30 euro? Kjo është një zhvatje e pastër në kurriz të mjekëve që mezi po mbijetojnë," thotë ai.
Oda e Mjekëve, e cila është themeluar për të avancuar dhe mbrojtur interesat e komunitetit mjekësor, duket se është shndërruar në një barrë shtesë për ta. Mjekët pyesin: Ku shkojnë këto mjete? A është Oda një institucion shërbimi apo një makineri që gjeneron fitime nga të papunët dhe të dëshpëruarit?
Shqetësimi i këtij mjeku nuk është i izoluar. Ai pasqyron një pakënaqësi më të gjerë brenda komunitetit mjekësor, ku Oda shihet gjithnjë e më shumë si një entitet i shkëputur nga realiteti ekonomik i mjekëve të rinj. Kjo "hajni" administrative, siç e cilëson mjeku, po ndodh në kohën kur mjekët po ikin masivisht nga vendi, duke shkaktuar një krizë të thellë të burimeve njerëzore në shëndetësinë kosovare.Mjeku i ri është kategorik: kjo situatë nuk mund të vazhdojë. "Duhet të protestohet në instanca të larta. Nuk mund ta lejojmë Odën të veprojë si një biznes privat që mbledh haraç nga mjekët. Nëse nuk ngrihet zëri kundër kësaj padrejtësie, nesër do të paguajmë taksa për çdo vulë e për çdo nënshkrim," shton ai.
Përderisa mjekët po ikin, Oda e Mjekëve vazhdon të pasurohet nga dhimbja dhe largimi i tyre. Është koha që institucionet përkatëse dhe vetë komuniteti mjekësor të kërkojnë llogaridhënie të plotë: Pse një dokument administrativ duhet të kushtojë sa një mëditje e një punëtori në Kosovë?
Kjo nuk është vetëm çështje parash; është çështje dinjiteti. Dhe nëse Oda e Mjekëve vazhdon të mos e kuptojë këtë, atëherë ajo ka humbur çdo arsye për të ekzistuar si përfaqësuese e mjekëve të Kosovës.




