Kjo botë ku jetojmë vrapon me shpejtësi marramendëse, çdo ditë bombardohëmi me lajme dhe frikëra nga e panjohura, pastaj ankthi bëhët shoqëruesi më i ngushtë i njeriut modern. Depresioni dhe shqetësimi kronik nuk janë më përjashtime, por norma. Por çfarë ndodhi? Pse truri ynë po “sëmuret” nga diçka që ekziston vetëm në kokën tonë?
Po lexoja me pasion të veçantë filozofin e madh britanik Allan Watts, një nga zërat më të qartë të shekullit të 20-të mbi lindjen e mendjes perëndimore, ai e shpjegon këtë fenomen me një thjeshtësi gjeniale. Sipas tij, burimi kryesor i ankthit tonë është iluzioni i madh se ne mund ta kontrollojmë të ardhmen dhe të sigurojmë një jetë absolutisht të parashikueshme. Ne jetojmë sikur e ardhmja të ishte një libër që mund ta shkruajmë vetë, faqe pas faqeje, pa asnjë surprizë.
Por realiteti është krejt ndryshe. E ardhmja, nga natyra e saj, është e pakontrollueshme. Është një iluzion. Dhe pikërisht ky konflikt midis dëshirës sonë për kontroll absolut dhe natyrës së paparashikueshme të ekzistencës krijon ankthin që na ha nga brenda.
Mendojeni pak: sa herë keni ndjerë ankth për karrierën, për marrëdhëniet, për reputacionin, për shëndetin apo për të ardhmen financiare? Ne kërkojmë siguri të plotë në fusha ku asgjë nuk është e përhershme. Një punë mund të zhduket brenda një dite për shkak të ndryshimeve teknologjike. Një marrëdhënie mund të transformohet ose të marrë fund. Reputacioni, siç e dimë të gjithë, është diçka shumë e brishtë në epokën e rrjeteve sociale – sot je i rendësishëm e nesër je askushi.
Ne vuajmë sot për diçka që mund të mos ndodhë kurrë nesër. Vuajmë për një të ardhme që ende nuk ekziston.
Kur njeriu pushon së kërkuari siguri absolute, ndodh një çlirim i jashtëzakonshëm. Ankthi humbet fuqinë e tij sepse nuk ka më terren ku të ushqejë. Nuk do të thotë që problemet zhduken, por mënyra se si i përjetojmë ato ndryshon rrënjësisht.
Ky është momenti i “vrasjes së ankthit” – jo si një luftë kundër tij, por si një kuptim që e bën atë të panevojshëm.
Allan Watts e spjegon shumë bukur se si jeta nuk është një problem që duhet zgjidhur, por një mister që duhet përjetuar. Kur njeriu e kupton këtë, ankthi vdes natyrshëm – dhe në vend të tij lind një qetësi e madhe dhe një liri që asnjë siguri artificiale nuk mund ta zëvendësojë.
Arma më e fuqishme nuk është kontrolli, por pranimi.




