Në asnjë vend të botës së civilizuar nuk ekzistojnë komisione speciale inspektimi, të ngarkuara ekskluzivisht për të numëruar mjekët në vendin e punës, sikur të ishin dele në kullotë. Çdo sistem shëndetësor funksional ka strukturat e veta të brendshme: menaxhmentin e klinikave dhe udhëheqësit e raporteve, të cilët janë të mandatuar saktësisht për mbikqyrjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e punës.
Por në Kosovë, ku pozitat e drejtorit dhe udhëheqësve nuk fitohen mbi bazën e meritokracisë apo menaxhimit, por shpërndahen si plaçkë e interesave partiake, institucionet tona kanë shpikur një mekanizëm të ri, absurd dhe thellësisht grotesk: komisione që dërgohen nga Drejtoria e QKUK-së për të ruajtur nëse mjekët po rrinë karrigeve të tyre.
Ky është një teatër absurd, një qasje tipike komuniste që ngre lart formën dhe e shkatërron përmbajtjen. Sipas kësaj logjike staliniste, e rëndësishme është thjesht të jesh i pranishëm fizikisht me trup në korridor apo zyrë, ndërsa produktiviteti, mungesa e barnave, kushtet skandaloze dhe mbingarkesa e pacientëve janë çështje dytësore.
Në vend që të shërbejë si një masë disiplinore apo llogaridhënëse, ky mekanizm i improvizuar është degraduar në një instrument të ndyrë për gjuetinë e shtrigave. Ai po shfrytëzohet për hesapet e vogla mes kolegëve, për xhelozi profesionale e personale, duke u shndërruar në një rrjetë spiunazhi ku dërgohen denoncime se "filani nuk është në vendin e punës".
Në vend që drejtorët të merren me zgjidhjen e problemeve kronike të shëndetësisë publike – si listat e gjata të pritjes, mungesa e materialeve elementare apo ikja e mjekëve drejt sektorit privat dhe jashtë vendit – ata zgjedhin rolin e "çobanit", duke vënë në shënjestër stafin mjekësor me metoda që fyejnë dinjitetin e profesionit të bluzave të bardha.
Prania e këtyre elementeve ad-hoc është dëshmia më e qartë se shteti ynë nuk është serioz në adresimin e problematikave thelbësore në shëndetësi. Zgjidhja e kolapsit shëndetësor nuk kërkon policë sekretë apo komisione kontrolli që funksionojnë me mentalitetin e regjimeve të kaluara. Ajo kërkon vizion, depolitizim të menaxhmentit, përgjegjësi institucionale dhe kushte mé të mira pune.
Derisa drejtorët të vazhdojnë të emërohen nga militantizmi e jo nga profesionalizmi, QKUK-ja do të vazhdojë të prodhojë absurditete. Mjekët nuk kanë nevojë për mbikëqyrës që u numërojnë orët me telekomandë të partisë, por për një shtet që i trajton me dinjitet dhe u jep mjetet e duhura për t'i shërbyer qytetarit.




