Nuk kemi pasur kurrë më shumë mënyra për të komunikuar, megjithatë lidhja kuptimplote është bërë gjithnjë e më e vështirë. Në një epokë të përcaktuar nga ndërveprimi i vazhdueshëm digjital dhe IA-ja [inteligjenca artificiale], besoj se sfida jonë më e madhe në komunikim nuk është mungesa e bisedës. Është mungesa e ndërgjegjësimit mbi veten dhe në përgjithësi e inteligjencës emocionale. Kemi më shumë mënyra për t'u lidhur me njëri-tjetrin se në çdo periudhë tjetër të historisë. Dërgojmë mesazhe menjëherë, zhvillojmë takime përtej kontinenteve dhe, gjithnjë e më shumë, mbështetemi tek inteligjenca artificiale për të na ndihmuar të shkruajmë, të hulumtojmë dhe të përgjigjemi. Megjithatë, lidhja e vërtetë shpeshherë duket më e vështirë se kurrë. Njerëzit ndihen të padëgjuar në marrëdhëniet e tyre, të keqkuptuar në punë dhe të shkëputur nga komunitetet e tyre. Problemi nuk është mungesa e komunikimit. Është mungesa e ndërgjegjësimit mbi vete.

Kjo tani ka rëndësi më shumë se kurrë. Teksa IA-ja po e transformon me shpejtësi mënyrën se si punojmë dhe ndërveprojmë, cilësitë që na bëjnë në qartësisht njerëzorë po bëhen më të vlefshme - jo më pak të vlefshme. Inteligjenca emocionale është njëra prej tyre. Por, inteligjenca emocionale nuk fillon me të kuptuarit e njerëzve të tjerë. Ajo fillon me të kuptuarit e vetvetes.

Shumë shpesh përpiqemi t'i përmirësojmë marrëdhëniet tona duke ndryshuar atë që themi, në vend që të shqyrtojmë se çfarë po sjellim ne vetë në bisedë.

Pse më mërziti kaq shumë ai koment? Pse vazhdoj t'i përsëris të njëjtat modele marrëdhëniesh? Pse e kam të vështirë të shpreh atë që më nevojitet përpara se të më pushtojë frustrimi?

Këto pyetje janë shumë më të rëndësishme sesa gjetja e përgjigjes së përsosur. Ato tregojnë se komunikimi fillon shumë kohë përpara se fjalët të dalin nga goja jonë.

Kam kaluar vite të tëra duke studiuar sjelljen njerëzore dhe një mësim ka mbetur jashtëzakonisht i qëndrueshëm: njerëzit komunikojnë shumë më tepër sesa përmes gjuhës. Ne komunikojmë përmes tonit të zërit, pozës, frymëmarrjes, shprehjeve të fytyrës dhe gjendjes emocionale. Kur fjalët tona thonë një gjë, por trupi ynë komunikon diçka tjetër, njerëzit e vënë re. Ata mund të mos e dinë pse diçka nuk u duket në rregull, por e ndiejnë këtë mospërputhje. Mendja juaj mund të besojë se po dërgon një mesazh, ndërsa trupi juaj po përcjell diçka krejt tjetër.

Pikërisht për këtë arsye besoj se inteligjenca emocionale fillon përpara komunikimit.

Një nga gabimet më të mëdha që bëjmë është ta ndajmë mendjen nga trupi. Në të vërtetë, ato punojnë vazhdimisht së bashku. Shumë kohë përpara se ta dallojmë me vetëdije frikën, ankthin ose zemërimin, trupi ynë veçse ka reaguar, shpeshherë. Një bisedë e vështirë na tendos shpatullat. Stresi na e shkurton frymëmarrjen. Ankthi na e bën nyjë stomakun. Këto reagime fizike nuk janë bezdi që duhen shpërfillur. Ato janë informacion me vlerë.

Megjithatë, shumë prej nesh janë mësuar t'i shpërfillin ato.

Në vend që të pyesim pse ndihemi të parehatshëm, vazhdojmë tutje. Në vend që të bëhemi kureshtarë, e shtypim atë që ndiejmë. Me kalimin e kohës humbasim kontaktin me vetë sinjalet që mund të na ndihmonin të komunikonim më me ndershmëri.