Në kontekstin socio-kulturor të Kosovës, trafiku rrugor nuk është thjesht një hapësirë lëvizjeje fizike, por është shndërruar në një pasqyrë të qartë të tensionit, ankthit dhe agresivitetit kolektiv të grumbulluar ndër vite.
Për dekada me radhë, shoqëria e Kosovës ka kaluar përmes ngjarjeve ekstreme stresuese: luftës, humbjeve të mëdha, pasigurisë ekzistenciale, varfërisë dhe tranzicionit të stërzgjatur politik e shoqëror. E gjithë kjo histori e pashprehur ka lënë pas një mantel të rëndë traume kolektive.
Në mjekësi dhe psikologji, dihet mirë se çrregullimi i stressit post-traumatik (PTSD) dhe ankthi kronik, kur mbeten të patrajtuara, nuk zhduken kurrë magjikisht; ato gjejnë rrugë të tjera për t'u shfaqur. Një nga mekanizmat më të shpeshtë të shkarkimit të këtij stresi të brendshëm është agresiviteti i zhvendosur.
Kur një individ mbart brenda vetes muaj apo vite të tëra mllefi, ndjenje pafuqie, pasigurie ekonomike dhe stresi të pamenaxhuar, vetëdija e tij bëhet e brishtë. Kur ky person u jep makinës, çdo pengesë e vogël në trafik — një semafor i kuq, një vozitës më i ngadaltë apo një gabim i vogëli dikujt tjetër — nuk shihet si një ngjarje banale, por si një kërcënim personal ndaj të cilit duhet reaguar menjëherë me forcë, zemërim dhe impulsivitet.
Sjelljet në komunikacion janë simptomë klinike
Nëse e analizojmë sjelljen në trafikun e Kosovës përmes prizmit klinik, do të vëmë re disa modele alarmante që lidhen direkt me psikologjinë e dëmtuar të qytetarëve:
- Mungesa ekstreme e tolerancës (Nervozizmi kronik): Reagimet e menjëhershme me bori, sharje apo edhe përleshje fizike për shkak të sekondave të para në lëvizje tregojnë për një nivel jashtëzakonisht të ulët të pragut të durimit. Kjo është shenjë e sistemit nervor në gjendje _luftë ose ikje_ (fight-or-flight) permanent.
- Vozitja si formë e kontrollit dhe vetë-shkatërrimit: Për disa persona, shpejtësia ekstreme apo tejkalimet në vijë të plotë nuk janë thjesht shkelje rregullash, por një lloj sjelljeje autodestruktive ose një përpjekje e pandërgjegjshme për të rifituar ndjenjën e "kontrollit" mbi një jetë që u duket e pashpresë dhe jashtë kontrollit të tyre.
Si mjekë, epidemiologë dhe profesionistë të shëndetit, ne shpesh fokusohemi te pasojat fizike të aksidenteve: traumat e kokës, gjakderdhjet e brendshme, frakturat dhe humbjet e jetëve në tavolinat e operacionit. Mirëpo, është koha të kuptojmë se mjekësia preventive e aksidenteve fillon shumë kohë para se vetura të niset — ajo fillon në shëndetin mendor të shoferit.
Deri më tani, kontrolli mjekësor për patentë-shoferë në vendin tonë është përqendruar kryesisht te aspektet bazë fizike (shqisa e të pamurit, sëmundjet neurologjike bazë) dhe ka lënë anësor vlerësimin psikologjik. Një psikopatologji e patrajtuar, një çrregullim i kontrollit të impulseve, apo gjendjet e rënda depresive nuk zbulohen kurrë përmes një kontrolli sipërfaqësor mjekësor.
###




