Në realitetin e hidhur të shëndetësisë kosovare, drejtori i spitalit apo i qendrës kryesore të mjekësisë familjare nuk është menaxheri apo eksperti që zgjidhet për të ngritur cilësinë e shërbimeve. Ai është, para së gjithash, ushtari besnik i partisë në pushtet – qoftë kjo partia kryesore apo ndonjë partnere e vogël koalicioni që ka kapur këtë fuksion si trofe. Këtu fillon dhe mbaron tragjedia e pacientit shqiptar.
Kriteri kryesor për t’u bërë drejtor spitali nuk është CV-ja e pastër, menaxhimi i suksesshëm apo autoriteti moral në komunitetin mjekësor. Kriteri i vetëm i pathyeshëm është servilizmi dhe dëgjueshmëria absolute ndaj strukturave partiake.
Posa të ulet në karrigen e drejtorit, ky person e di shumë mirë se nuk i jep llogari pacientit që vuan në korridor, por shefave të partisë që e sollën aty. Çdo vendim i tij kushtëzohet nga interesi politik: ku duhet mbyllur një sy, ku duhet favorizuar një militant, dhe si duhet reaguar "pozitivisht" aty ku urdhëron partia. Shëndetësia shndërrohet në një degë të partisë, ndërsa spitali bëhet lëmsh interesash klanore.
Pasi të jetë rehatuar në postin e ri, drejtori i partisë nuk humbet kohë. Ai vë në zbatim një agjendë të pashkruar nepotizmi, e cila ndjek një rend të rreptë prioritetesh:
1. Rehatimi familjar në radhë të parë: Interesi i parë personal i drejtorit është sigurimi i ekzistencës dhe rehatisë së rrethit të tij të ngushtë. Bashkëshortja punësohet në pozitat më të mira administrative apo klinike, djali dhe vajza sigurohen me vende pune fitimprurëse, ndërsa nga pas vijnë kunatat, nipërit, hallat dhe kushërinjtë. Spitali publik shndërrohet në një ndërmarrje familjare, ku pacienti është thjesht një pengesë e bezdisshme.
2. Pasi drejtori të ketë plotësuar nevojat e fisit të vet, hapet dera për "listën e zeza" të ndërhyrjeve që vijnë nga lart – nga shtabet zgjedhore dhe zyrtarët e lartë të partisë në pushtet.
Këto ndërhyrje nuk ndalen vetëm tek punësimet e paligjshme të militantëve pa asnjë ditë shkollë apo përvojë përkatëse, por shtrihen në fushën më fitimprurëse dhe më shkatërrimtare: tenderët për barna, pajisje mjekësore dhe shërbime të jashtme.
Faktori kryesor që e mban shëndetësinë në agoni të përhershme nuk është mungesa e dëshirës së mjekëve të ndershëm, por kjo ushtri e njerëzve të paaftë dhe militantëve partiakë që janë futur në sistem përmes kësaj dere të kalbur.
Kur një vend pune në spital fitohet me teseren e partisë e jo me diplomë dhe provim merite, pasojat janë fatale për jetën e njeriut. Mjekë të rremë, teknikë pa njohuri bazë dhe administratë e mbingarkuar parazitare bllokojnë çdo mekanizëm funksional. Specialistët e vërtetë largohen nga vendi ose heshtin të dëshpëruar, ndërsa sistemi zhytet çdo ditë e më shumë në kaos.
Nëse Kosova dëshiron vërtet reformë në shëndetësi, ajo nuk duhet kërkuar te strategjitë e shtrenjta letrare apo te premtimet e radhës të ministrave të kabinetit.
Reforma rrënjësore duhet të fillojë pikërisht te ky problem madhor: te depolitizimi i plotë i pozitës së drejtorit të spitalit.
Derisa në krye të spitaleve të vendosen servilë partiakë që mendojnë vetëm për fatin e bashkëshorteve, fëmijëve dhe kontratave të partisë, shëndetësia publike do të mbetet një lëmsh improvizimesh ku jeta e qytetarit vlen më pak se një vend pune për një militant. Pa prerë këtë kërthizë të korrupsionit menaxherial, çdo përpjekje tjetër është thjesht hipokrizi politike.




