Gazeta Mjeku: Dr. Gjonbalaj, fillimisht na tregoni pak për historikun tuaj profesional.
Prof.Asoc.Dr Naser Gjonbalaj: Faleminderit për këtë intervistë . Unë jam specialist i radiologjisë dhe punoj në Spitalin MedicalPark Kosova dhe Qendren Klinike Universitare. Pas përfundimit të fakultetit të mjekësisë, u specializova në radiologji, por shpejt u interesova për radiologjinë intervente — një fushë e avancuar ku ka përdorim të shkencës dhe teknologjinë imazherike për të kryer ndërhyrje mjekësore minimale invazive.
Kam kryer trajnime të avancuara dhe kam qenë pjesë e shumë programeve edukative ndërkombëtare për të përsosur aftësitë në kë të fushë . Është një fushë që kërkon përkushtim dhe njëkohësisht përsosmëri teknike, pa e anashkaluar më thelbësoren qasjen njerëzore ndaj pacientit.
Gazeta Mjeku:Çfarë është radiologjia intervente dhe pse është e rëndësishme?
Prof.Asoc.Dr Naser Gjonbalaj: Radiologjia intervente është një degë e avancuar e radiologjisë ku përdorim imazherik të udhëhequr (si ultrazëri, fluoroskopi, CT, ose MRI) për të kryer diagnostikim dhe ndërhyrje të vogla, minimale invazive, në vend që të bëjmë operacione të hapura. Kjo do të thotë se pacientët kanë rikuperim më të shpejtë, dhimbje më të vogla dhe komplikime më të pakta.
Kjo fushë është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse shpëton jetë në raste të urgjencës, si
p.sh. thrombektomia (heqja e gjakut të ngurtësuar në enët e gjakut) te pacientët me bllokim te arterieve të trurit (stroke), ose aneurizma coiling (mbushja e aneurizmave cerebrale për të parandaluar rupturën), për të rriture cilësinë e jetës në pacientet me shpute diabetike ku behet hapja e enëve të gjakut në këmbe ( procedur që e eliminon ose e shtynë sa me shume amputimin-prerjen e gjymtyrëve të poshtme këmbëve), apo në rastet e dhënies se trajtimit të kimioterapive direkt në tumoret të mëlçisë (TACE), pa e anashkaluar trajtimi i malformacioneve arterio-venoze (MAV) të ndryshme.
Gazeta Mjeku: Na tregoni për disa nga ndërhyrjet më të rëndësishme që keni kryer.
Prof.Asoc.Dr Naser Gjonbalaj: Kam kryer qindra ndërhyrje në radiologji intervente. Disa nga rastet më të rëndësishme dhe me sfiduese do të cekja Trombektomi mekanike: Kjo është një ndërhyrje urgjente ku heqim trombë (gjakun e ngurtësuar) nga arteriet e trurit te pacientët me stroke ishemik. Kjo ndërhyrje duhet të bëhet brenda orëve të para pas stroke-s për të shpëtuar jetën dhe për të reduktuar dëmtimin e trurit. E ceka me sipër që eshtë me sfiduesja për arsye që jemi në lufte me kohen kur kane filluar simptomat klinike, procedura diangonstike dhe pastaj ndërhyrja e që të gjitha këto janë brenda 6 orësh nga kur ka filluar shenja e pare klinike andaj ne Kosovë është quajtur me akronimin FSK (klinika në F- fytyre dhe të folur, S- sy dhe stabilitet dhe K-krahu dhe koha për të thirrur)
Aneurizma Coiling: Kjo është një ndërhyrje ku mbushim aneurizmat apo shqip zgjerimet e enëve të gjakut, me spirale të vogla metale për të parandaluar rupturën e tyre, e Cila mund te jetë fatale. Kam kryer gjithashtu ndërhyrje për stenozat e arterieve karotide apo periferike, embolizimin e tumoreve përmes enëve të gjakut. Çdo rast është unik dhe kërkon përgatitje të veçantë.
Gazeta Mjeku:Si është gjendja e radiologjisë intervente në Kosovë dhe çfarë duhet përmirësuar?
Prof.Asoc.Dr Naser Gjonbalaj: Radiologjia intervente në Kosovë është në zhvillim të vazhdueshëm, por nevojitet më shumë trajnim për mjekët e rinj, më shumë investime në pajisje të avancuara, dhe më shumë vetëdijesim te pacientët për këto lloje të ndërhyrjev, pa anashkaluar mendësinë burokratikë të menaxhimeve institucionalë për mos te thëne naive.
Duhet të krijojmë më shumë programe edukative dhe bashkë punime ndërkombëtare për të përmirësuar standardet. Kemi talent dhe dëshirë për të punuar, por duhet të kemi më shumë mbështetje nga shteti dhe nga institucionet.
Gazeta Mjeku:Çfarë mesazhi do t'i jepnit pacientëve që kanë nevojë për radiologji intervente?
Prof.Asoc.Dr Naser Gjonbalaj: Do t'u thosha se radiologjia intervente është një alternativë e sigurt dhe e suksesshme për shumë raste mjekësore, veçanërisht për ato që më parë kërkonin operacione të hapura. Është më pak invazive, më e shpejtë në rikuperim, dhe me komplikime më të pakta edhe pse ne fillim ka kosto më të lartë por nga ato që theksova me sipër kjo e fundit është më pak e perfillëshme. Pacientët duhet të besojnë në mjekët kompetent në Kosovë, të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë informacion të detajuar. Ne jemi këtu për t'iu shërbyer me përkushtim dhe profesionalizëm.
Gazeta Mjeku:Planet tuaja për të ardhmen?
Prof.Asoc.Dr Naser Gjonbalaj: Dua të vazhdoj të kontribuoj në përmirësimin e standardeve në Kosovë , gjithashtu dua të bashkëpunoj më shumë me qendra ndërkombë tare për të sjellë përvojën dhe teknologjinë më të fundit në Kosovë .
Gazeta Mjeku:Faleminderit Dr. Gjonbalaj për kë të intervistë !
Prof.Asoc.Dr Naser Gjonbalaj: Faleminderit juve për këtë mundësi. Ju uroj punë të mbarë redaksisë së Gazetës Mjeku. Është kënaqësi të ndaj përvojën time me lexuesit dhe të shpresoj se kjo intervistë do t'iu ndihmojë të kuptoni më mirë -radiologjinë intervente dhe rëndë sinë e saj.




