Në asnjë vend normal të botës nuk ekziston fenomeni i “vizitave turistike” të mjekëve. Në Gjermani, Francë, Suedi apo edhe në vende më të varfra se Kosova, mjeku i huaj nuk hyn, nuk viziton paciente dhe nuk shkruan receta thjesht sepse ka një pasaportë dhe një dëshirë. Këtu, në Kosovë, duket se mjafton të vish nga Maqedonia, Turqia apo ndonjë vend tjetër dhe Hani i Dilit i hap dyert me buzëqeshje.

Sistemi ynë shëndetësor është kthyer në një pika-pikë të hapur, ku kontrolli profesional shpesh mbetet formalitet. Ndërsa mjekët kosovarë kalojnë vite në specializime, provime dhe birokraci për t’u licencuar, të huajt duket se gjejnë rrugë më të shkurtra. Ironia bëhet e plotë kur një mjek shqiptar detyrohet të “heqë farat e ullirit” – të pësojë çdo pengesë, çdo vonesë dhe çdo formalitet të rëndë – për t’u licencuar në Maqedoni, ndërsa nga ana tjetër e kufirit rrjedha e mjekëve të huaj drejt Kosovës vazhdon pa shumë pengesa.

Kjo nuk është hapje e shëndetshme. Është dobësi e institucioneve që lejojnë që mbrojtja e pacientit dhe standardet profesionale të zëvendësohen me lehtësi administrative. Nëse nuk vendosen kritere të qarta, kontrolle reale dhe barazi në trajtim, Kosova do të mbetet Hani i Dilit: hapur për të gjithë, por i pasigurt për ata që duhet t’i mbrojë.