Në imagjinatën publike, mjeku është ai personi pothuajse mbinjerëzor: mban veshur një mantel të bardhë, nuk lodhet kurrë, nuk ka të drejtë të gabojë dhe është gjithmonë gati të shpëtojë jetë. Por pas atij manteli fshihet një njeri. Një njeri që, pas një kujdestarie 24-orëshe pa gjumë, me rrahje zemre të shpeshta nga kafeina dhe stresi, duhet të marrë vendime ku ndahet jeta nga vdekja.
Sot, sistemi ynë shëndetësor po përballet me një krizë : burnout-in (ezaurimin) e vetë mjekëve.

Mjekësia shpesh quhet mision, dhe kjo është e vërtetë. Por asnjë mision nuk mund të mbijetojë pa karburant. Kur një mjek përballet me një mbingarkesë të papërballueshme pacientësh – ku i duhet të shërbejë si mjek, si administrator e ndonjëherë edhe si psikolog – fillon konsumimi i ngadaltë.
Orët e gjata të kujdestarive nuk janë thjesht "lodhje fizike". Kushdo që ka qëndruar zgjuar për 24 orë e di se si mjegullohet crebiri. Imagjinoni t'ju duhet të llogaritni dozën e saktë të një medikamenti kritik në orën 4 të mëngjesit, kur sytë ju mbyllen nga sforcimi. Ky presion konstant, i shoqëruar me frikën e tmerrshme nga gabimi mjekësor, e kthen stresin e thjeshtë në një gjendje kronike.
Anatomia e një shpirti të Ezauruar: Burnout-i te mjekët nuk vjen brenda një nate. Ai zvarritet ngadalë dhe shfaqet përmes tri simptomave kryesore:
1. Ezaurimi Emocional: Ndjenja se nuk ke më asgjë për të dhënë. Mjeku zgjohet në mëngjes me një peshë në gjoks dhe me dëshirën për të mos shkuar në spital. 2. Depersonaliimi (Cinizmi): Si mekanizëm mbrojtës, mjeku fillon t'i shohë pacientët thjesht si "raste" apo si "numra krevati", duke humbur empatinë. Kjo nuk ndodh sepse janë njerëz të këqij, por sepse shpirti i tyre nuk mban dot më dhimbje. 3. Humbja e Kuptimit: Ndjenja e dëshpëruar se puna që po bëjnë nuk ka më vlerë ose nuk po ndryshon asgjë.
Nga këtu, rruga drejt ankthit kronik, depresionit dhe, në rastet më të rënda, varësisë nga substancat apo medikamentet për të fjetur e për t'u qetësuar, është shumë e shkurtër.
###
Paradoksi më i madh i kësaj situate është se mjekët janë të parët që njohin simptomat e depresionit dhe ankthit, por janë të fundit që kërkojnë ndihmë. Pse? Sepse jetojmë në një kulturë mjekësore ku të pranosh se ke probleme të shëndetit mendor shihet si "dobësi". Ekziston frika e gjykimit nga kolegët, frika e penalizimit në karrierë apo edhe e humbjes së licencës.
Kështu, mjekët tanë vuajnë në heshtje, duke izoluar veten pas mureve të spitalit.
Koha për ndihmë :
Nuk mund të kemi pacientë të shëndetshëm nëse kemi mjekë të sëmurë. Burnout-i nuk është një problem personal i një mjeku "që nuk duron dot stresin"; është një problem sistemik.
Ndryshimi duhet të fillojë nga menaxhimi i spitaleve: duke rregulluar oraret e kujdestarive, duke ofruar mbështetje psikologjike të dedikuar dhe pa stigma për stafin mjekësor, dhe mbi të gjitha, duke e trajtuar mjekun me dinjitetin human që meriton.
Herën tjetër që të hyni në një ambulancë apo spital, mbani mend: ai person përballë jush, përpara se të jetë një diagnozë-përcaktues, është një qenie njerëze. Dhe nganjëherë, edhe mjekut i duhet pyetur: _"Si jeni ju sot, doktor?"_

.jpg)


