Në teatrin e madh të marrëdhënieve njerëzore, ekziston një personazh sa i pështirë, aq edhe i rrezikshëm, i cili nuk ndërton kurrë, por gërryen çdo strukturë ku vë këmbën: Servili.

Ai nuk është thjesht një njeri i dobët; ai është një krijesë me karakter të pazhvilluar, një urith shoqëror i shtyrë nga një ves i pangopur – lakmia. Servili nuk kërkon meritën, ai kërkon rrugën e shkurtër. Ai nuk kërkon respektin, por dritën që reflektohet nga tjetri, duke u kthyer në elementin më shkatërrimtar të shoqërisë sonë.

Ekziston një keqkuptim i madh se njeriu "bëhet" servil nga rrethanat apo nga vështirësitë e jetës. Jo, servil lind, nuk bëhesh.

Ndryshimi fillon që në zanafillë. Që në moshën 3-vjeçare, kur fëmijët e tjerë shfaqin herët shenjat e para të egos, dinjitetit apo edhe kokëfortësisë së shëndetshme, "servili i vogël" fillon të manipulojë. Ai nuk luan me rregulla, por mëson herët cilin të miklojë për të marrë lodrën e tjetrit. Ky nuk është një proces edukimi, është një kod gjenetik e strukturë karakteri e mangët.

Njeriu me dinjitet mund të rrëzohet, të vuajë dhe të varfërohet, por nuk zvarritet.

Servili e ka zvarritjen gjendje natyrale; ai nuk di të bëjë asgjë tjetër, sepse shtylla e tij kurrizore është e lëngshme që nga lindja.

Gjëja më tragjike në shoqërinë tonë është verbëria e atyre që mbajnë pushtet (politik, ekonomik apo shoqëror). Njeriu i fuqishëm bie në grackën e gluesë, duke besuar se ai që i rri në këmbë dhe i thur lavde e ka heroi i tij.

_Rregulli i artë i servilit: Ai që të serviloset i pari, është i pari që do të të ngulë thikën pas shpine._

Pse? Sepse servili nuk ka besnikëri ndaj teje si person. Ai ka besnikëri vetëm ndaj interesit të tij. Në momentin më të parë që dikur tjetër shfaqet me një ofertë më të madhe, me një karrige më të lartë apo me më shumë para, servili nuk do të mendohet dy herë. Me të njëjtën gojë që sot të thur lavde, nesër do të jetë i pari që do të të pështyjë dhe do t'i shërbejë "shefit të ri" me të njëjtin devotshmëri të pështirë.

Pse servili është shkatërrimtar për shoqërinë?

Kur servilët ngjiten lart, shoqëria bie poshtë. Ata shkatërrojnë:

  • Meritokracinë: Vlerat zëvendësohen nga lëpirja. Njerëzit e aftë dhe me dinjitet mënjanohen sepse nuk dinë të bëjnë kompromis me të vërtetën.
  • Besimin: Ata krijojnë një ambient paranojak ku askush nuk i zë besë askujt.
  • Sistemin e Vlerave: Duke parë që servili ia del më shpejt, brezat e rinj infektohen nga ideja se rruga e ndershme nuk vlen.

###

Shoqëria jonë duhet të fillojë t'i dëbojë dhe t'i izolojë këto krijesa. Mos i ushqeni servilët me vëmendje dhe mos rrethoni veten me njerëz që thonë vetëm "Po".

Nëse dikush të lavdëron për çdo gjë, mos u ndje i rëndësishëm – rreziku është te pragu. Ruaju nga ai që nuk guxon të të kundërshtojë kurrë, sepse pikërisht ai po pret momentin e duhur për të parë rënien tënde.