Ka organizata që ekzistojnë për të bërë diçka. Ka organizata që ekzistojnë thjesht për të ekzistuar. Oda e Mjekëve të Kosovës, për fat të keq, i përket kategorisë së dytë.

Një odë mjekësore në Europë matet me dy gjëra: sa kongrese dhe aktivitete shkencore organizon, dhe sa thellë bashkëpunon me organizatat homologe europiane dhe ndërkombëtare. Standardet e EMA-s, direktivat e UEMS-së, protokollet e ESC-së — këto janë gjuha e përditshme e odave serioze europiane.

Po Oda e Mjekëve të Kosovës? Organizimet shkencore janë të rralla sa ngjarjet meteorologjike ekstreme, dhe bashkëpunimi me odat europiane është minimal deri në inekzistencë. Rezultati: mjekët kosovarë mbesin të izoluar nga rrjedha e dijes bashkëkohore, ndërsa kolegët e tyre serbë, kroatë dhe sllovenë integrohen gradualisht në rrjetet europiane profesionale.

Pyetja e natyrshme: çfarë bën konkretisht Oda gjatë vitit? Përgjigja e ndershme: mbledhet, komisionon dhe paguan ( rroga dhe meditje ).

Ndër momentet më poshtëruese për figurën e mjekut kosovar ishte kur u kërkua deklarimi i pasurisë — sikur mjeku të ishte zyrtar që shpërndan tendera, jo profesionist që shpëton jetë. Një odë e denjë do të kishte reaguar menjëherë dhe me forcë. Do të kishte dalë publikisht dhe do ta kishte thënë me zë të qartë: **_mjeku nuk është funksionar — ai i nënshtrohet standardeve profesionale dhe etikës mjekësore, jo ligjit për zyrtarët publikë._ Kjo është praktika normale në çdo vend europian.

Oda nuk ka arritur ose nuk ka dashur të përcaktojë saktë se kush çfarë bën dhe ku mbaron autoriteti i secilit specialist.

1.

Ankesa të shumta nga radiologët tregojnë se mjekë nga specialitete të ndryshme klinike kryejnë ultratinguj dhe shkruajnë raporte zyrtare për to — raporte që në shumicën e rasteve janë të pasakta. Ky nuk është opinion — është konstatim profesional i radiologëve, specialistëve të vetëm të licensuar për diagnostikim imazherik.

Dallimi është themelor: në Europë, klinicisti e përdor ultratingullin si mjet ndihmës klinik, për nevojat e tij të menjëhershme gjatë ekzaminimit — por nuk prodhon raport zyrtar diagnostikues. Ai raport, me peshë juridike dhe klinike, është ekskluzivisht kompetencë e radiologut. Kjo nuk është konventë arbitrare — është standard i ndërtuar mbi dekadat e formimit special, certifikimin dhe pergjegjësinë ligjore.

Gjykatat e Kosovës e dinë këtë, edhe pse Oda e ka harruar: kur nevojitet ekspert për diagnostikim imazherik, gjykata thërret radiologun — jo klinicistin, qoftë edhe për imazhin më të thjeshtë të ultratingullit. Kjo sepse vetëm radiologu mban autoritetin profesional dhe ligjor për atë gjykim. Pyetja është: nëse e di gjykata, pse nuk e zbatonë Oda?

2.

Rasti tjetër i dokumentuar është përzieja midis urologjisë dhe nefrologjisë — dy specialitete që ndajnë organin e njëjtë anatomik, por me kompetenca krejtësisht të ndryshme klinike. Ankesa nga nefrologët tregojnë ndërhyrje në sferën e tyre nga specialitete fqinje, me pasoja direkte në trajtimin e pacientëve.

Kjo nuk është mosmarrëveshje e brendshme korporative. Është problem i sigurisë së pacientit.

Oda e Mjekëve të Kosovës ka dështuar në detyrën e saj primare: të ndërtojë standarte, të mbrojë profesionin dhe të garantojë cilësinë e kujdesit ndaj pacientit. Në vend të kësaj, ka funksionuar si klub i mbyllur ku komisionet rrotullohen , pagesat kryhen dhe askush nuk pyet shumë.

Reforma e Odës nuk është çështje administrative. Është çështje e dinjitetit të profesionit dhe e jetës së pacientit.