Një hulumtim i publikuar nga portali Kallxo ka ngritur shqetësime serioze mbi praktikat e dyshuara në Repartin e Urologjisë në Spitalin e Pejës, duke hedhur dritë mbi një realitet të errët që prek drejtpërdrejt pacientët. Sipas këtij raportimi, dyshohet për ekzistencën e një skeme të organizuar, ku shërbimet shëndetësore që duhet të jenë publike dhe të garantuara, trajtohen si mall tregu.
_Një hulumtim i emisionit “Kallxo Përnime” zbuloi se çmimet e pajisjeve mjekësore për operimin e prostatës, që mungojnë në Spitalin e Pejës, u rekomanduan nga stafi mjekësor që të bliheshin në një barnatore specifike._
Në fund të muajit qershor, një pacient nga Peja ishte paraparë t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në prostatë. Por, vetëm pak minuta para se të hynte në sallën e operimit, familjarët e tij morën një kërkesë nga stafi mjekësor.
Përmes një letre të bardhë, të cilën e ka siguruar “Kallxo Përnime” dhe e cila nuk ishte një recetë standarde me logo dhe vulë të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, stafi shëndetësor kishte rekomanduar blerjen e një prerëse, një rollne, Inspirol dhe kateterit, pajisje mjekësore të nevojshme për kryerjen e operacionit të prostatës.
Në fund të letrës ishte shënuar edhe emri i një barnatoreje private, “Begolli Pharm”.
Të gjendur para kësaj situate, vetëm pak minuta para operimit, familjarët shkuan për t’i blerë pajisjet, të cilat kushtuan gjithsej 548 euro e 50 centë.
Këto pretendime, nëse konfirmohen nga institucionet përgjegjëse, ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e sistemit shëndetësor dhe nevojën për mekanizma më të fortë mbikëqyrës. Ndërkohë, mbetet thelbësore që rastet të hetohen në mënyrë të paanshme dhe transparente, për të rikthyer besimin e qytetarëve në shërbimet publike shëndetësore.
Lakmia po e shkatrron figurën e mjekut . Urojmë që ky shtet të funksionalizohet ndonjeherë , dhe qytetari të ndihët me besim tek mjeku!




