Kur Fakulteti i Mjekësisë u themelua, standardet ishin të qarta dhe të respektuara. Studentët kishin mundësinë të përballeshin me realitetin e vdekjes që në ditët e para të studimit. Kjo përballje nuk ishte thjesht një procedurë teknike, por një moment solemn dhe edukativ. Përmes anatomisë praktike, studenti kuptonte fizikun e njeriut, ndërsa përmes "takimit" me personin e vdekur, ai mishërohej me peshën, përgjegjësinë dhe etikën e jetës së mjekësisë. Ishte një përurim i denjë për ata që synonin t’i kushtonin jetën shërimit të të tjerëve.
Sot, ky traditë është shuar. Instituti i Anatomisë, dhe fatkeqësisht jo vetëm ai, ndodhet në një dekadencë të thellë. Derisa në të gjithë botën institucionet arsimore investojnë në teknologji, metodologji bashkëkohore dhe përmirësim të praktikës klinike, në Prishtinë duket se koha ka ndaluar ose, më keq akoma, po ecim me hapa galopantë drejt kthimit prapa.
Ky nuk është një dështim i rastësishëm; është pasqyra e një menaxhimi të paaftë dhe neglizhent. Si është e mundur që një fakultet që pretendon të prodhojë gjenerata të reja mjekësh, të mos sigurojë kufoma demostrimi për mësimdhënie bazike? Kjo situatë e rëndë ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën e punësimit të stafit akademik dhe menaxherial. Kur dekadenca bëhet normë, shpjegimi i vetëm është se sistemet e meritokracisë janë zëvendësuar nga nepotizmi dhe klientelizmi. Kur pozitat nuk u jepen atyre që dinë dhe duan të punojnë, por atyre që dinë të heshtin, rezultati është ky: shkatërrimi i një institucioni jetik për shoqërinë.
Ky shqetësim nuk mund dhe nuk duhet të injorohet më. Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka për detyrë urgjente të dërgojë inspektorë në këtë institut. Nuk bëhet fjalë për një vonesë administrative, por për mangësi serioze në edukimin e brezave që nesër do të mbajnë në duar jetët tona.
Neglizhenca e udhëheqësve të këtij fakulteti meriton jo vetëm dënim moral, por edhe denoncim publik e llogaridhënie ligjore. Nëse nuk ka kufoma për demonstrim, atëherë nuk ka as anatomi. Nëse nuk ka anatomi, nuk ka mjekësi të mirëfilltë. E nëse nuk ka mjekësi të mirëfilltë, atëherë çfarë po prodhon ky fakultet përveç diplomave të zbrazëta?
Është koha për t'i dhënë fund këtij degradi. Studentët meritojnë më shumë se kaq; ata meritojnë një edukim të denjë për shekullin në të cilin jetojmë.



.jpg)
