Në një botë ku stresi, ankthi dhe depresioni janë bërë "pandemia" e heshtur e kohës sonë, psikiatria shpesh shihet si portë e vetme drejt shpëtimit. Megjithatë, përballë shifrave kokëforta, shtrohet një pyetje thelbësore dhe disi e frikshme: Pse, pavarësisht përparimeve shkencore dhe farmaceutike, përqindja e personave që shërohen plotësisht përmes psikiatrisë mbetet tepër e ulët?
Përderisa në degët e tjera të mjekësisë, si kirurgjia apo interno, diagnoza dhe trajtimi çojnë drejt shërimit të plotë, në psikiatri flasim për "menaxhim" të simptomave, jo për kurim. Kjo hendek mes pritshmërive dhe realitetit nuk është rastësi, por rrjedhojë e një qasjeje që ende po çalon në themelet e saj.
Trajtimi i simptomës, jo i njeriut?! -Një nga arsyet kryesore pse psikiatria shpesh dështon është mbështetja e tepruar tek modeli mjekësor redukcionist. Në këtë model, problemet komplekse të shpirtit dhe mendjes përkthehen në "disbalanca kimike". Kjo qasje e redukton njeriun në një seri neurotransmetuesish, duke harruar se vuajtja psiqike është e ngërthyer në historinë jetësore, traumat e pazgjidhura, mjedisin social dhe izolimin ekzistencial. Kur trajtohet vetëm truri me medikamente, por jo konteksti i jetës së pacientit, shërimi bëhet i pamundur.
Psikiatria moderne mbështetet fort në manuale diagnostikuese që klasifikojnë sjelljet njerëzore si "çrregullime". Megjithatë, shumë shpesh, kjo formë diagnostikimi bëhet një etiketim që e mbyll pacientin në një identitet të sëmurë. Në vend që të kërkohet "pse-ja" e vuajtjes së pacientit, psikiatria shpesh mjaftohet me "çfarë" diagnoze ka ai. Kjo shkëputje nga përvoja individuale e bën terapinë më pak efektive, pasi trajtohet simptoma që përputhet me një kod në libër, e jo personi që ndodhet përballë.
Shumë pacientë mbeten në një cikël të pafundmë medikamentesh që thjesht mpirin emocionet ose mbajnë nën kontroll sjelljen, pa trajtuar rrënjën e problemit. Kështu, përqindja e të shëruarve mbetet e ulët, sepse shërimi kërkon punë të vështirë psikoterapeutike, ndryshim të stilit të jetesës dhe përballje me realitetin, ndërsa "kokrra" ofron vetëm një qetësi artificiale.
Një mjek që viziton dhjetëra pacientë në ditë për pak minuta nuk mund të bëjë mrekulli; ai mund vetëm të mbajë gjendjen nën kontroll.




