Një nga pyetjet kryesore që shtrohet sot është: pse ekziston kjo mungesë gatishmërie për investime serioze në kuadro profesionale dhe në infrastrukturë? Problemi nuk është vetëm financiar, siç shpesh pretendohet. Në thelb, kemi të bëjmë me mungesë të vullnetit politik dhe një hezitim për t’u përballur me një sektor kompleks që kërkon reforma të thella dhe të qëndrueshme.

Në vend të një qasjeje strategjike, qeveritë kanë operuar shpesh me logjikën popullore “tu pa, tu ba” – një mënyrë veprimi që nënkupton improvizim dhe reagim të vonuar, në vend të planifikimit të mirëfilltë. Kjo ka rezultuar në mungesë standardesh, shërbime jo të barabarta dhe një sistem që nuk arrin të përmbushë nevojat bazike të qytetarëve.

A është kjo një pasojë e mentalitetit tonë si shoqëri, apo e një dembelie institucionale për t’u përballur me një problematikë të vështirë? Ndoshta është një kombinim i të dyjave. Megjithatë, përgjegjësia kryesore bie mbi politikëbërësit, të cilët kanë pasur mundësinë, por jo gjithmonë vullnetin, për të ndërmarrë reforma të thella.

Nëse vazhdohet me këtë qasje të menaxhimit, perspektiva për shërbime cilësore në institucionet shëndetësore publike mbetet e zymtë. Pa një strategji të qartë, pa investime në burime njerëzore dhe pa përmirësim të infrastrukturës, sistemi do të vazhdojë të prodhojë pakënaqësi dhe mosbesim te qytetarët.

Koha për ndryshim nuk është më një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri shoqërore. Shëndetësia nuk mund të mbetet më në margjina të prioriteteve, sepse në fund të fundit, ajo përcakton cilësinë e jetës së çdo qytetari.