Kjo kritikë nuk i takon vetëm një qeverie apo një ministri të vetme. Ajo u drejtohet të gjithëve pa dallim, atyre që kanë udhëhequr shëndetësinë që nga paslufta e deri sot. Sepse problemi nuk është vetëm mungesa e vizionit, por edhe mungesa e përgjegjësisë, e guximit për të reformuar dhe e vullnetit për të vendosur profesionalizmin mbi interesin politik.

Shteti nuk mund të ndërtohet mbi improvizime. E aq më pak shëndetësia, ku çdo gabim paguhet me shëndetin, me dinjitetin dhe shpesh me jetën e qytetarit. Për këtë arsye, debati për shëndetësinë nuk duhet të kufizohet më në deklarata formale, por të shndërrohet në një llogaridhënie të plotë për dështimet që janë toleruar për vite me radhë.

Në fund, ajo që i duhet Kosovës nuk janë më arsyetime, por një kthesë e vërtetë: depolitizim, profesionalizëm dhe përgjegjësi institucionale. Pa këto tri shtylla, shëndetësia do të vazhdojë të mbetet plagë e hapur e shtetit.