Sipas informacioneve të dërguara nga sinjalizuesi, brenda kësaj klinike po regjistrohet një shifër e madhe e fataliteteve pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Në pretendimet e ngritura thuhet se ky fenomen dyshohet të jetë pasojë e pa pervojes profesionale të disa prej specialistëve, të cilët, sipas të njëjtit burim, po shkaktojnë komplikacione të cilat po rezultojnë fatale për pacientët.
Në përputhje me standardet e gazetarisë investigative dhe verifikimit të fakteve, redaksia jonë është përpjekur të kontaktojë zyrtarisht me Zyrën për Informim të QKUK-së për të ballafaquar këto pretendime dhe për të marrë një pasqyrë zyrtare mbi statistikat e vdekjeshmërisë, auditimet e brendshme dhe masat e ndërmarra në këtë klinikë.
Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë asnjë përgjigje apo sqarim zyrtar nga institucioni, duke lënë hapësirë për paqartësi dhe duke e bërë edhe më të domosdoshme një transparencë më të madhe publike për një çështje kaq të ndjeshme që prek drejtpërdrejt jetët njerëzore.
Kardiokirurgjia mbetet një ndër fushat më komplekse dhe më jetike të mjekësisë, ku çdo gabim apo vonesë mund të ketë kosto fatale. Për këtë arsye, ngritja e pyetjeve mbi kapacitetet, kushtet e punës dhe mbarëvajtjen e shërbimeve në këtë klinikë është një detyrim ndaj publikut, derisa institucionet të japin llogaridhënie të plotë me shifra dhe argumente të verifikuara.
_Shënim i redaksisë: Pretendimet e ngritura nga sinjalizuesi mund të mos jenë të vërteta dhe përbëjnë vetëm cilësim të tij. Ky artikull nuk përfaqëson qëndrimin përfundimtar të redaksisë, por pasqyron shqetësimin e ngritur dhe kërkon reagim dhe transparencë nga institucionet kompetente shëndetësore._




