Edukimi i një mjeku në Kosovë është një proces jashtëzakonisht i kushtueshëm për taksapaguesit. Duke llogaritur shpenzimet për literaturë, laboratorë, praktikën klinike, pagat e pedagogëve dhe subvencionet shtetërore për një studim gjashtëvjeçar, kostoja për kokë mjeku është e konsiderueshme.
Por, këtu krijohet një paradoks ekonomik: Kosova mbulon "koston e prodhimit" të mjekut, ndërsa Gjermania përfiton "produktin e gatshëm" pa paguar asnjë cent për formimin e tij akademik. Në termat e ekonomisë së tregut, ky është një transferim neto i pasurisë njerëzore dhe financiare nga një vend në zhvillim drejt një ekonomie të zhvilluar. Kur një mjek largohet, shteti ynë nuk humb vetëm një punonjës; ai humb një investim strategjik dhe shansin për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vet.
Pse po ndodh ky "Eksod Mjekësor"?
Arsyet janë të shumta, por të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën:
1. Pagat dhe kushtet e punës: Krahasimi i pagës mes QKUK-së dhe një spitali në Frankfurt është shkurajues. Por, përtej pagës, janë kushtet – mungesa e pajisjeve, mungesa e barnave bazë dhe një hierarki shpeshherë e ngurtë – që e bëjnë profesionin e mjekut në Kosovë një betejë me mulli ere. 2. Mungesa e perspektivës së specializimit: Proceset e specializimeve në Kosovë shpesh janë përcjellë me paqartësi, kritere të mjegullta dhe vonesa, duke i detyruar të rinjtë të kërkojnë stabilitet profesional jashtë vendit. 3. Investimi në "dije" për eksport: Kur një sistem arsimor nuk ofron një plan konkret të mbajtjes së kuadrove, ai në mënyrë të pavullnetshme (apo edhe të pavetëdijshme) shndërrohet në një fabrikë që përgatit kuadro për tregun ndërkombëtar.
###
Kostoja e këtij fenomeni nuk matet vetëm me euro. Ajo matet me orët e pritjes së pacientëve nëpër spitale, me listat e gjata të operacioneve dhe me cilësinë e ulët të kujdesit. Kur mjekët më të mirë largohen, përvoja dhe dija e fituar në fakultet nuk transferohet te gjeneratat e ardhshme, duke krijuar një boshllëk profesional që po e vuan shëndetësia jonë çdo ditë.
Çka me ba?
Të ndalosh lëvizjen e lirë të njerëzve është e pamundur dhe joetike. Megjithatë, mbajtja e mjekëve në vend nuk kërkon mure, por infrastrukturë.
- Reforma e specializimeve: Krijimi i një sistemi të pastër, transparent dhe të lidhur me nevojat reale të tregut shëndetësor.
- Stimujt për qëndrim: Përmirësimi i kushteve në spitale, mundësitë për hulumtime shkencore dhe bonuse për ata që punojnë në zona të thella.
- Strategjia kombëtare: Shteti duhet ta trajtojë ikjen e mjekëve si një kërcënim për sigurinë kombëtare, jo thjesht si një rrjedhë normale e tregut të punës.
Sot, fakulteti ynë po edukon mjekë të shkëlqyer, por për kë po i edukon? Nëse Kosova nuk bëhet një ambient ku dija shpërblehet dhe puna vlerësohet, ne do të vazhdojmë të jemi donatorët më të mëdhenj të shëndetësisë gjermane – me paratë e taksapaguesve tanë.




.jpg)