Ngjarja, detajet dhe emrat e të cilit janë të njohur për redaksinë tonë, por që për arsye të etikës gazetareske dhe ruajtjes së konfidencialitetit nuk po i bëjmë publikë, ka ndodhur gjatë një vizite rutinë në një institucion shëndetësor privat.
Një kirurg vaskular, i cili mbani detyrën dhe punon rregullisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë kontrollit të një pacienti ka rënë në kontakt me një raport radiologjik. Kur ka vënë re se raporti ishte punuar nga një koleg i tij – gjithashtu specialist radiolog që punon po ashtu në QKUK – reaksioni ka qenë skandaloz.
I verbuar me një revolte te pakuptimtë, kirurgu vaskular e ka hedhur raportin para fytyrës së pacientit dhe, me një gjuhë aspak qytetare, i tha pacientit: "Ky nuk di gjë!". E gjitha kjo pa e lexuar fare raportin mjekësor, por thjesht duke parë emrin e radiologut që e kishte nënshkruar.
Pse gjithë ky mllef dhe urrejtje mes kolegëve?
Ky rast nuk është thjesht një incident i izoluar; ai është simptomë e një sëmundjeje shumë më të rëndë që ka kapluar shëndetësinë publike dhe private në Kosovë: urrejtja e ndërsjellë, klanizimi dhe mungesa totale e etikës profesionale.
Si ka mundësi që dy mjekë, të cilët paguhen nga paratë e qytetarëve dhe ndajnë të njëjtin ambient pune në institucionin më të madh shëndetësor në vend (QKUK), të ushqejnë një armiqësi kaq të egër ndaj njëri-tjetrit? Pse pacienti duhet të përdorë si mburojë për komplekset dhe luftërat e kota të egove mjekësore?
Kjo mburrje boshe, e shoqëruar me nënvlerësimin e kolegut për interesa të ngushta apo inate personale, fyen rëndë çdo qytetar që kërkon shërim.
Kush mban përgjegjësi?
Odat e Mjekëve, drejtoritë e spitaleve dhe vetë Ministria e Shëndetësisë mbyllin sytë para sjelljeve joetike dhe JOprofesionalizmit që kalon çdo kufi të njerëzores. Nëse një kirurg sillet në atë mënyrë para një pacienti , ai nuk ka dëmtuar vetëm reputacionin e kolegut radiolog.
Është koha për reflektim të thellë dhe masa ndëshkimore ndaj kujtdo që e shndërron mantelin e bardhë në arenë primitivizmi. Pacientët e Kosovës nuk meritojnë të trajtohen si spektatorë të dramave të egove të sëmura mjekësore.




