Duket se në vendin tonë qetësuesit po shiten si të ishin çamçakëzë, ndërsa antidepresivët janë bërë vitamina e mëngjesit.

Kjo shpjegon shumë gjëra. Kur mëngjesi nis me trafik të bllokuar, faturë rryme që s'dihet a vjen më shtrenjtë se rroga, dhe halle ekonomike ku çmimi i mishit të lopës është bërë temë debati kombëtar, nuk është çudi pse truri i kosovarit digjet para kohe.

A janë këto sëmundje psiqike shkaktari i konflikteve të pafundme në rrugë e familje? Natyrisht. Kur gjithë populli është nën efektin e ankthit kronik, durimi ka mbaruar te semafori i parë.

A na duhen më shumë psikiatër? Pa diskutim! Veçse, para se të hapim klinika të reja, ndoshta duhet t'ia bëjmë një pyetje vetes: a po na sëmurë mendërisht mungesa e ilaçeve, apo fakti që po mendojmë më shumë për mbijetesën dhe çmimin e mishit, sesa për të pasur një tru të shëndoshë?

Sistemi shëndetësor publik në Kosovë vuan nga një mungesë kronike e stafit specialist në fushën e shëndetit mendor. Numri i psikiatërve, psikologëve klinikë dhe psikoterapeutëve në raport me numrin e banorëve është tejet i pamjaftueshëm .

Statistikat e larta të shitjes së barnave psikiatrike në Kosovë nuk janë sukses i tregut, por kambanë alarmi. Për të zvogëluar konfliktet në rrugët tona, për të ulur varësinë nga qetësuesit dhe për t'i dhënë shpresë rinisë e familjeve tona, Kosova nuk ka nevojë vetëm për më shumë barna në rafte, por për më shumë psikiatër, më shumë dëgjim, më shumë kujdes institucional dhe një shoqëri që pranon se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa buka e përditshme.